Takimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Bresanë të Sharrit mbledh qindra qytetarë

E publikuar: 17/01/2025 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Bresanën e Sharrit, qytetarët u mblodhën për të dëgjuar projektet dhe angazhimet e Qeverisë Kurti 3, duke u bërë pjesë e thirrjes për 500 mijë zemrat e Kosovës.

Tubimin e hapi kandidati për deputet, Jetmir Ajdini, i cili theksoi se komuna paralele në Kosovë janë tashmë pjesë e së shkuarës. Ai falënderoi qytetarët e Bresanës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe bëri thirrje që më 9 shkurt të bashkohen votës për numrin 118, për të vazhduar ndryshimin në gjithë Republikën.

Ministrja Arbërie Nagavci foli për politikat mbështetëse të Qeverisë ndaj vajzave dhe grave, duke përmendur masat konkrete për përmirësimin e jetës së tyre. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të qeverisjes së mirë, për zhvillim dhe barazi në çdo cep të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij, përmendi arritjet e Qeverisë, duke përfshirë investimet në infrastrukturën rrugore prej 64 kilometrash, më shumë se çdo qeveri tjetër në një dekadë. Ai njoftoi gjithashtu planin për ndërtimin e një Poliklinike specialistike në Sharr dhe theksoi rëndësinë e votimit për të siguruar zhvillim, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë.

“Numri ynë, 118, është i bardhë si Sharri. Fitore për Vetëvendosjen është fitore për gjithë qytetarët,” u shpreh Kurti, duke ftuar qytetarët që më 9 shkurt t’i bashkohen këtij misioni.

Në fund, kryeministri falënderoi qytetarët e Bresanës dhe Sharrit për përkrahjen e tyre të vazhdueshme, duke i ftuar që të vazhdojnë të jenë pjesë e ndryshimit për një Kosovë më të fortë dhe më të drejtë.