Takimi i jashtëzakonshëm i KPK-së, me dyer të mbyllura, Hajdaraj njofton anëtarët për vendimin e Supremes për Besim Kelmendin

E publikuar: 18/12/2025 15:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila vlerësoi se vendimi për shkarkimin e  Besim Kelmendit nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokrurial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm, por që ishte me dyer të mbyllura.

Nga Sistemi Prokurorial nëpërmjet një njoftim në “facebook”, thonë se kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj ka njoftuar anëtarët se ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën kryesimin e z. Ardian Hajdaraj, ka mbajtur sot një takim të jashtëzakonshëm, të 281-të me radhë, i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura. Me këtë rast, Kryesuesi Hajdaraj njoftoi anëtarët e KPK-së për pranimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, çështjet të cilat ndërlidhen me zbatimin e këtij aktgjykimi do të trajtohen në takimin e radhës”, thuhet në njoftim.

Në një njoftim për media, gjykata tha se ia ka kthyer lëndën Këshillit për rishqyrtim dhe rivendosje.

“Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe ka anuluar vendimin KPK.nr.1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.

Kelmendi u shkarkua muajin e kaluar pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar.