Në video incizimet sekrete të cilat i kanë siguruar gazetarët e rrjetit hulumtues të Krimit dhe Korrupsionit-KRIK shfaqet takimi i Ivica Daçiq me bosin e drogës Radoljub Raduloviq.
Në këto video që janë regjistruar nga kamerat e agjentëve serbë të inteligjencës shihet Daçiq, i cili asokohe shërbente si Ministër i Punëve të Brendshme, si dhe bashkëpunëtorët nga kabineti i tij qeveritar Branko Lazareviq, Vanja Vukiqi dhe Ivica Tonçev, në takime që i realizuan me bosin Raduloviq në restorante, kafeteri dhe parkingje të Beogradit.
Radulloviq, shef i narko-kartelit serb, i njohur për publikun si “Misha Banana” ose “Misha Amerika”, aktualisht gjendet në arrati.
Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i bosit tjetër Darko Shariq, i cili u dënua me 20 vjet burg për kontrabandën e 5.7 tonëve të kokainës.
Për të njëjtën çështje Radulloviq u pat dënuar me 12 vjet e gjashtë muaj burgim.
Në ndërkohë, njohjen me të nuk e kishte mohuar kurrë shefi i diplomacisë serbe i cili pati insistuar vazhdimisht se ajo daton nga koha para se ai të vinte në krye të Ministrisë së Brendshme, transmeton Klan Kosova.
Raportohet se videot janë bërë gjatë nëntë takimeve të realizuara në periudhën prej 29 nëntorit të vitit 2008 deri më 7 prill të 2009, që Raduloviq i pati me krerët e MUP-it.
Publikimi i këtyre pamjeve të takimit të kryediplomatit aktual serb me një nga bosët e drogës japin detaje të reja në rastin i cili në muajt e parë të vitit 2013 kërcënonte me rrëzimin e qeverisë serbe në të cilën Ivica Daçiq ishte Kryeministër dhe njëherit Ministër i Brendshëm.
Daçiq asokohe e kishte pranuar se me Raduloviqin ishte takuar disa herë, por nuk kishte informata se ai ishte pjesë e grupit kriminal të Shariqit.
https://
https://
https://