Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimet e radhës të dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve, ku tema kryesore ishte funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë.
Pas përfundimit të takimeve, Bislimi ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e diskutimeve është zhvilluar në formë bilaterale, fillimisht ndërmjet palës kosovare dhe Bashkimit Evropian, e më pas edhe me palën serbe. Sipas tij, qëllimi kryesor ishte arritja e një dakordimi për jetësimin e marrëveshjes për personat e pagjetur, e arritur më herët ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.
“Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta funksionalizojmë Komisionin e Përbashkët,” ka deklaruar Bislimi, duke shtuar se në javët në vijim pritet që zëvendësit e palëve të takohen për të përcaktuar prioritetet e para të punës së këtij komisioni.
Ai ka theksuar se tema e personave të zhdukur ka qenë boshti kryesor i takimeve, ndërsa në mënyrë të shkurtër janë prekur edhe çështje të tjera të dialogut, për të cilat priten lëvizje në të ardhmen.
“Elemente të tjera janë përmendur shkurt, por lëvizje konkrete priten pas formimit të Qeverisë,” ka bërë të ditur Bislimi, duke nënvizuar se fokusi kryesor ka mbetur zbatimi i Marrëveshjes për Personat e Zhdukur me Dhunë.
















