Takim urgjent, nisin diskutimet për krijimin e policisë së kryeqytetit pas ngjarjes së mbrëmshme

E publikuar: 05/08/2023 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur sot takim urgjent me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica dhe me drejtorin e Policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, pas të shtënave me armë mbrëmë në lokalin “Bon Vivant”, ku vdiq një person dhe u lënduan 20 të tjerë,.

Rama ka thënë se me ta ka diksutuar për çështjen e sigurisë në dhe hapat të cilët duhet të ndërmarren për krijimin e policisë së kryeqytetit.

“🚨Pas ngjarjes së mbrëmshme e cila na shqetësoi të gjithëve, bashkë me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica mbajtëm një takim urgjent me drejtorin e policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, me të cilin diskutuam për çështjen e sigurisë në #kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë. Siguria në #kryeqytetin tonë është prioritet i yni.”, ka shkruar Rama.