
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për një armëpushim të pjesshëm në Ukrainë, ishin “intensive” por të dobishme, tha një anëtar i ekipit negociues të Rusisë.
“Ne biseduam për gjithçka, ishte një dialog intensiv, jo i lehtë, por shumë i dobishëm për ne dhe për amerikanët”, tha të martën Grigory Karasin për agjencinë shtetërore të lajmeve, TASS.
Karasin, i cili për kohë të gjatë ishte zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë, tha se bisedimet SHBA-Rusi do të vazhdojnë dhe se Kombet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të përfshihen në to. Ai nuk tha hollësi rreth kësaj, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ai i bëri këto komente një ditë takimit 12-orësh mes dy vendeve në Arabinë Saudite, vendin ku po zhvillohen bisedimet.
Derisa bisedimet po zhvilloheshin në Riad, Rusia e sulmoi me raketa qytetin Sumi të Ukrainës, duke plagosur më shumë se 90 njerëz, përfshirë 23 fëmijë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin, duke thënë se ky është shembulli më i freskët i “humbjeve, dhimbjes dhe shkatërrimit, diçka që Ukraina kurrë nuk e ka dashur”.
Zelensky tha se Rusia është “e vetmja palë që po e zgjat këtë luftë dhe po torturon si popullin tonë, ashtu edhe mbarë botën”.