Kuvendi i Kosovës ende nuk ka caktuar ndonjë datë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Një seancë e tillë ishte paralajmëruar për ditën e diel, por ajo është shtyrë për një ditë tjetër.
Aktualisht, për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, vullnetin e kanë shprehur partitë shqiptare në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Lista Serbe, si partner i koalicionit qeverisës, ende nuk e ka bërë zyrtarisht të ditur qëndrimin e saj
Njohësi i zhvillimeve politike, Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrë parasysh qëndrimin kundër kësaj marrëveshjeje të Lëvizjes Vetëvendosje, për arritjen e këtij numri të votave, nevojiten ato të deputetëve të Listës Serbe.
“Varet prej Listës Serbe edhe prej udhëzimeve të Beogradit. Unë mendoj që presidentit (Aleksandar) Vuçiq do t’i bëhet presion ndërkombëtar që Lista Serbe të jetë konstruktive, që është partner i koalicionit dhe Demarkacioni të kalojë. Me kalimin e Demarkacionit hapet rruga që në institucionet evropiane në mars të kalojë çështja e liberalizimit të vizave sepse raporti është pozitiv dhe që kosovarët, këtë vit, nëse jo në qershor, atëherë në shtator, të udhëtojnë pa viza”, tha politologu Tahiri.
Në rast se plotësimi i kushteve nga Kosova vlerësohet pozitivisht, atëherë qytetarët e Kosovës, pritet që në qershor ose në shtator të këtij viti, ta marrin dritën e gjelbër për liberalizim vizash ./GazetaExpress/

















