Lajmet

Tahiri: Shuarja e strukturave paralele pengon ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë

30.05.2016 17:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Tahiri: Shuarja e strukturave paralele pengon ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë

“Nuk do të fillohet asnjë veprim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacion e komunave me shumicë serbe pa zhbërjen e strukturave paralele, pa e marrë Kosova kodin telefonik shtetëror dhe pa u pavarësuar sistemi i transmisionit energjetik”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Edita Tahiri, Ministre për Dialog e Qeverisë së Kosovës. Ajo thekson se Serbia nuk mundet ta themelojë njëanshëm Asociacionin, ndërkohë që, sipas saj, në Bruksel do të formohet grupi punues trepalësh për zhbërjen e të gjitha strukturave paralele të Serbisë të mbetura në Kosovë.

Zonja ministre, marrëveshjet e arritura në Bruksel për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për shuarjen e strukturave paralele, si dhe për revitalizimin dhe lirimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, janë të ndërlidhura. Kjo ndërlidhje a po e pengon zbatimin e njëra tjetrës?

Edita Tahiri: Në fakt, ndërlidhje kanë vetëm çështja e zhbërjes së strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe ajo e Asociacionit. Çështja e revitalizimit të urës nuk ka ndërlidhje me këto procese. Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë që, e para; ne nuk do të fillojmë asnjë veprim zbatues për Asociacionin, pa e marrë Kosova kodin telefonik shtetëror dhe pa u pavarësuar sistemi i transmisionit energjetik të Kosovës, përkatësisht KOST-i.

Këto dy marrëveshje janë tani e 5 vite në bisedime. Janë arritur marrëveshjet, janë arritur planet për zbatim, ndërsa Serbia i ka bllokuar proceset. Ne e kemi bërë të qartë që pa u zhbllokuar këto procese nuk e fillojmë asnjë veprim për zbatim të Asociacionit.

E dyta; kur Kosova e merr kodin telefonik dhe KOST-i pavarësohet, ne do të fillojmë pastaj proceset e hartimit të statutit. Mirëpo, para se të fillohet procesi i hartimit të statutit, në Bruksel do të formohet grupi trepalësh për zhbërjen e të gjitha strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë.

Si do të mbetet çështja e revitalizimit të urës? Është thënë se deri në fund të muajit qershor ajo do të jetë e kryer, por, siç duket, mbi urën kryesore mbi lumin Ibër ende nuk është filluar të punohet.

Edita Tahiri: Çështja e revitalizimit të urës, në bazë të marrëveshjes së Brukselit, është kompetencë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Obligimi është që deri në fund të qershorit të kryhet revitalizimi dhe ura të funksionalizohet për ta mundësuar lëvizjen e plotë të lirë për të gjithë njerëzit dhe automjetet.

Një problem që e kemi në këtë fazë është mosbashkëpunimi nga ana e kryetarit të Komunës së Mitrovicës veriore (Goran Rakiq), i cili nuk i ka kryer disa obligime që lidhen me leje lokale urbane për revitalizim, ndërkohë që kryetari i Komunës së Mitrovicës jugore (Agim Bahtiri) i ka kryer të gjitha obligimet.

Për këtë çështje, ne kemi pasur, javën e kaluar, takim të përbashkët nën koordinimin e Ministrisë së Mjedisit (e Qeverisë së Kosovës) dhe do të vazhdojmë takimet e rregullta, në mënyrë që të zhbllokohet ky proces, përkatësisht që kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore t’i kryejë obligimet e veta në bazë të ligjit dhe të japë ato leje që janë në kompetenca komunale për kryerjen e punëve.

Po i kthehemi edhe një herë çështjes së Asociacionit. Njohës serbë të zhvillimeve politike kanë theksuar se Qeveria e Serbisë mund ta themelojë vet, në mënyrë të njëanshme, Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A është kjo e mundur?

Edita Tahiri: Kjo, e para, nuk është mundur. E dyta, Serbia ka bërë procese që kanë shkelë marrëveshjen e Brukselit në të kaluarën. Mirëpo, Serbia tashmë e kupton që çdo veprim që e bën në kundërshtim me dialogun e Brukselit, ia bllokon vetes rrugën për integrim evropian. Pra, Serbia tashmë e di këtë çështje dhe siç e dini, Kapitulli 35 është vënë si një kusht shtesë në procesin e integrimit evropian. Serbia e ka parasysh që pa i plotësuar dhe respektuar të gjitha marrëveshjet e Brukselit, mund t’ia bllokojë vetes rrugën për në Bashkimin Evropian.

Kur flasim për këto marrëveshjet e fundit, për të cilat biseduam deri më tash, dhe situata në të cilën gjenden, duket se zbatimi i marrëveshjeve po vendnumëron. A e po e dështon kjo edhe vet esencën e dialogut të Kosovës me Serbinë?

Edita Tahiri: Nuk mund të themi që dialogu po vendnumëron, për faktin se ky dialog zhvillohet 5 vite e më shumë dhe nga ky dialog kanë dalë mbi 30 marrëveshje. Këto që po flasim tash janë katër tema të mëdha. Pra, kodi telefonik, pavarësimi i KOST-it, Asociacioni dhe zhbërja e plotë e strukturave paralele.

Mirëpo, arritje të mëdha ka pasur në kuptimin e zhbërjes së strukturave paralele në veri. Policia është zhbërë, “Mbrojtja civile” është zhbërë. Tani kemi “drejtësinë”, e cila është zhbërë dhe po finalizohet integrimi. Kemi vënë kufirin në mes të dy shteteve, ku në dy pikëkalimet, Bërnjak dhe Jarinë, deri para vitit 2011 nuk i kemi pasur autoritetet shtetërore. Tash i kemi. Është vënë rregulli dhe rendi në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe shumë përparime tjera.

Pra, dialogu ka dhënë rezultate mjaft të mëdha dhe mbi këto, ky dialog i Brukselit ka kontribuar që Kosova ta marrë Marrëveshjen për Stabilizim me Bashkimin Evropian. Përmes këtij dialogu, ne kemi zbutur edhe qëndrimet e 5 vendeve që nuk na njohin, të cilat e mbështetën Kosovën edhe për MSA-në, por edhe për liberalizimin e vizave. Pra, rezultatet e dialogut janë të prekshme, esenciale. E kanë nxjerrë Serbinë, sidomos nga pjesa veriore, ku ka pasur ndikim. Finalizimi i ndaljes së çdo ndërhyrjeje të Serbisë në Kosovë do të bëhet me zhbërjen e strukturave të mbetura paralele. Prandaj, ka pasur shumë përparime, por, ka edhe çështje që duhet të kryhen.

Krejt në fund, dinamika e procesit të dialogut, të paktën në nivelin më të lartë të përfaqësimit, ka shënuar rënie muajt fundit, mbase edhe për shkak të zgjedhjeve që ishin në Serbi. A prisni intensifikim gjatë muajve ne vijim?

Edita Tahiri: Së pari, dëshiroj të them se obligimet që Serbia i ka pasur në raport me marrëveshjen për kodin telefonik dhe KOST-in është dashur që të kryhen para zgjedhjeve në Serbi. Pra, zgjedhjet nuk janë ndonjë justifikim për vonimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve. Por, ka qenë pikërisht destruktiviteti i Serbisë që i ka bllokuar ato. Ne pastaj i kemi bërë të qarta kushtet tona. Nëse ata i kanë bllokuar këto marrëveshje të rëndësishme për Kosovën – sepse, Kodi telefonik është tepër i rëndësishëm në kuptimin e sovranitetit në fushën e telekomit, si dhe pavarësimi i KOST-it, praktikisht jep sovranitetin në fushën e transmisionit të energjisë – ne, duke parë rëndësinë e këtyre marrëveshjeve , i kemi bërë të qarta kushtet tona. Pra, pa u kryer këto të dyja, nuk mund të ketë asnjë veprim drejt zbatimit për çështjet e Asociacionit.

As takime në nivelin e lartë?

Edita Tahiri: Ne kemi pasur takime në javën e kaluar. Takimet po ndodhin në kuadër të dialogut teknik dhe takimi pritet, në nivelin e lartë, ndoshta në qershor. Këto takime vetëm kontribuojnë që të zbatohen marrëveshjet. Pra, nëse e keni fjalën se a do të vazhdojë dialogu, sigurisht që do të vazhdojë.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Haxhiu: Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për marrëveshje

Haxhiu: Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për marrëveshje

Kurteshi: S’mund të arsyetohet mbajtja peng e Kosovës, liderët kanë shumë inat e lakmi

Kurteshi: S’mund të arsyetohet mbajtja peng e Kosovës, liderët kanë shumë inat e lakmi

Gjini: Kosova është e infiltruar nga shërbimet sekrete armike, sa spiunë të tjerë mund të jenë në majat e pushtetit?

Gjini: Kosova është e infiltruar nga shërbimet sekrete armike, sa spiunë të tjerë mund të jenë në majat e pushtetit?

LDK-ja refuzon takimin me Haxhiun, Abdixhiku: Për ne ajo është deputete, takohemi vetëm me Kurtin

LDK-ja refuzon takimin me Haxhiun, Abdixhiku: Për ne ajo është deputete, takohemi vetëm me Kurtin

Kurti: Synimi ynë është ta transformojmë ekonominë e Kosovës dhe ta forcojmë prodhimin vendor

Kurti: Synimi ynë është ta transformojmë ekonominë e Kosovës dhe ta forcojmë prodhimin vendor

Pritjet nga Haga: Thaçi e të tjerët duhet të lirohen

Pritjet nga Haga: Thaçi e të tjerët duhet të lirohen

Tahiri: Kosova nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet e Albin Kurtit

Tahiri: Kosova nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet e Albin Kurtit

PDK e AAK refuzuan takimin, Haxhiu: Veprim i gabuar dhe i pamatur – nyja është çështja e Presidentit

PDK e AAK refuzuan takimin, Haxhiu: Veprim i gabuar dhe i pamatur – nyja është çështja e Presidentit

“Manipulim i radhës nga Kurti”: PDK e AAK refuzojnë takimin me Haxhiun, LDK ende s’jep përgjigje

“Manipulim i radhës nga Kurti”: PDK e AAK refuzojnë takimin me Haxhiun, LDK ende s’jep përgjigje

Gjenden mbetje eshtërore edhe të tre individëve gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut

Gjenden mbetje eshtërore edhe të tre individëve gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut

Ftesa e Haxhiut për liderët partiakë për takim konsultativ për Presidentin, kjo është letra që ia dërgoi Bedri Hamzës

Ftesa e Haxhiut për liderët partiakë për takim konsultativ për Presidentin, kjo është letra që ia dërgoi Bedri Hamzës

Shala: Qëndrimi i LDK-së ka krijuar një realitet krejt të ri politik në Kosovë

Shala: Qëndrimi i LDK-së ka krijuar një realitet krejt të ri politik në Kosovë

Lavrovi-Serbisë: Pa e njohur Kosovën shtet, harrojeni BE-në

Lavrovi-Serbisë: Pa e njohur Kosovën shtet, harrojeni BE-në

Sveçla: Rreth 5 mijë aplikime për shtetësi brenda gjashtë muajve

Sveçla: Rreth 5 mijë aplikime për shtetësi brenda gjashtë muajve

“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi”, Haziri i përgjigjet Kurtit

“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi”, Haziri i përgjigjet Kurtit

Haradinaj paralajmëron protesta e bllokada: Do të jenë përgjigjja ndaj Kurtit

Haradinaj paralajmëron protesta e bllokada: Do të jenë përgjigjja ndaj Kurtit