Ish-zëvendësdrejtoresha menaxhuese e AKP-së, Mrika Tahiri derisa ka raportuar në Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit, theksoi se gjatë kohës sa ka qenë në AKP ka qenë kandidate për deputete nga PDK në vitin 2010.
Tahiri gjatë dëshmisë në platformën “online” ka treguar se pasur kërcënime të ndryshme, por ka mohuar se ka pasur kërcënime nga ndonjë subjekt politik.
“Diku rreth gjashtë muaj pas angazhimit tim në AKP, kam marrë ftesë që të aderoj në listën e asaj kohe, ku ish-kryetari i partisë së PDK-së kishte mbledhur një numër që ata i quanin ‘ekspertë të fushës’. Për këtë unë kam marrë pushim pa pagesë gjatë kësaj kohe në AKP dhe kam garuar në listën e PDK-së në vitin 2010. Pas dështimit tim në këto zgjedhje, nuk kam pasur ndonjë angazhim politik”, tha Tahiri.
Ndërsa, e pyetur nga deputeti Hekuran Murati për rastin Dino Asanaj dhe rastin e hotel “Grandit”, Tahiri nuk ka dhënë shumë sqarime lidhur me këto raste.
Në pyetjen e deputetit Gazmend Bytyqi nga PDK, Tahiri theksoi se nuk ka pasur kërcënime nga ndonjë zyrtar nga PDK-ja lidhur me ndonjë proces.
Tahiri e cila aktualisht gjendet në shtetin e Maltës, shtoi se kërcënime ka pasur nga disa ish-zyrtarë në AKP.
“Nuk kam pasur asnjë kërcënim nga asnjë zyrtar politik. Ndonjë herë ka qenë ndonjë ish-punëtor, ndoshta i revoltuar. Ndonjë herë ka qenë edhe rezultat i thashethemeve. Mirëpo, nuk qëndron se unë ndonjë herë kam pasur ndonjë kërcënim direkt. Jo të PDK-së, por nga asnjë parti politik”, theksoi Tahiri.
Po ashtu ajo ka arsyetuar edhe dorëheqjen nga pozita e AKP-së. Ajo ka mohuar se ka dhënë dorëheqje pas një bastisje në zyrat e AKP nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Dorëheqja ime nuk ka pasur të bëjë me ndonjë bastisje. Dorëheqja ime ka qenë e paralajmëruar 10 ditë më herët për disa ish-koleg të mi. Në atë periudhë ka qenë një mos interesim ose mungesë të vullnetit politik që gjërat në AKP të shkojnë ashtu siç ishte dashur. Ne atë periudhë kemi qenë pa kryetar bordi për një vit. Po ashtu për më shumë se një vit pa drejtor menaxhues si dhe pa zëvendës drejtor tjetër menaxhues për një vit e gjysmë. Këto pozita kanë qenë të rregulluara me ushtrues detyre”, tha Tahiri.
Ndërsa, diskutimi rreth planit të punës për periudhën e mbetur së bashku me ekspertët e komisionit ka qenë i mbyllur për media./Kp/