Tahiri: Republika e Kosovës, në situatën më të rëndë në post-pavarësi

E publikuar: 12/03/2026 11:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se beteja për postin e presidentit ka të bëjë me pa ngopjen e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse i ka marrë 51 për qind në zgjedhjet e 28 dhjetorit, raporton Ekonomia Online

Ai ka thënë se neni 86, pika dy, është e pastër si loti dhe e shpjegon çka ndodh nëse nuk zgjedhet presidenti apo presidentja e re  30 ditë para se t’i përfundojë mandati presidentit

Tahiri në konferencën për media, bashkë me Bekë Berishën ka thënë shprehur shqetësimin se po shteti po hyn në një bllokadë, të cilën situatë nuk do të mund ta mendonte askush.

“Për AAK-në, vendi ynë, shteti ynë, Republika e Kosovës, është në situatën më të rëndë në post-pavarësi, në një ndër krizat më të thella me shumë të panjohura, duke e sjellë shtetin në një rrethanë ku për mbi një vit, ku tani kemi hyrë në vitin e dytë, vazhdon një eksperimentim i betejave në letër, ligjore dhe kushtetuese, si dhe mosfunksionimi i shtetit dhe i qeverisë për funksionet që duhet t’i ushtrojë para qytetarëve. Kosova sot është në bllokadë, ndërsa qeveria është jofunksionale, shteti është jofunksional. Ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit në mungesë të investimeve, edhe të sektorit publik por edhe të huaja. Në një bllokadë janë ndërmarrjet dhe korporatat të cilat kanë probleme serioze deri te falimentimi i tyre dhe përjashtimi i punëtorëve nga puna, si dhe mosdhënia e pagave. Kështu është situata e Kosovës”, tha Tahiri.

Tahiri kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje e cila sipas tij as me 51 për qind të votave nuk po arrin që të bëjë shtetin funksional.

“Çmimet e konsumit për qytetarë dhe për familje kanë ardhur në atë stad që janë bërë të papërballueshme për të bërë jetë. E ku është debati politik dhe publik i qeverisë sot? Paramendojeni që dy palë zgjedhje i fiton Lëvizja Vetëvendosje, në të fundit me 51 për qind, dhe nuk është në gjendje ta bëjë shtetin funksional, për shkak se është e pangopshme dhe do që ta marrë edhe këtë institucion, pra edhe institucionin e presidencës. Na sollën në një situatë ku në ditën e fundit mezi e ditëm kush është kandidati dhe na imponohet një betejë tjetër në Gjykatën Kushtetuese, në mungesë të përgjegjësisë totale politike, institucionale, shtetërore dhe historike”, tha ai,

Tahiri thotë se AAK tashmë e ka përgatitur një analizë për çështjen e dekretit dhe debatit kushtetues.

“Për ne është bukur e qartë dhe e thjeshtë: nëse ka drejtësi dhe trajtohet aspekti meritor, atëherë neni 86, pika 2 është i qartë dhe i pastër si loti. Thotë se 30 ditë para se t’i përfundojë presidentes afati i saj në zyrë, duhet të ketë zgjedhje. Çfarëdo trajtimi tjetër është rrethanor; çfarëdo trajtimi procedural është për procedura për raste të tjera. Çfarëdo tendence që të ndodhë diçka pas asaj date është pos një tendencë për të vazhduar një sagë dhe, për më keq, për ta bllokuar Kosovën”, tha Tahiri.

E po ashtu ai ka komentuar edhe sulmet që deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi i bëri një ditë më parë ndaj ambasdorëve, duke iu kërkuar që të mos e vizitojnë Gjykatën Kushtetuese, pasi që sipas tij kjo po shkatërron atë.

Tahiri për këtë thotë se është një mendësi e kahershme e LVV-së.

“Çështje tjetër problematike është edhe ajo që lidhet me mendësinë e LVV-së për t’i sulmuar institucionet e pavarura. Si mund të dalë një përfaqësues i popullit, i një partie që ka 51 për qind, dhe të sulmojë Gjykatën Kushtetuese dhe të tentojë të ndikojë politikisht, duke shkuar aq larg sa të thotë se disa ambasadorë po duan ta shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese? Jo bre burra — ata që e kanë ndërtuar dhe e kanë ndihmuar, nuk e shkatërrojnë; por e shkatërroni ju që doni të keni ndikim politik”, tha ai.