Tahiri: Rekomandimet e Kushtetueses për Asociacionin do të merren parasysh nga BE

E publikuar: 27/01/2016 21:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se Bashkimi Europian është në anën e Prishtinës, në dialogun Kosovë – Serbi, që po zhvillohet në Bruksel.

Ajo ka insistuar se pala kosovare e ka përkrahjen e plotë të BE-së që për përpilimin e statutit të Asociacionit të Komuanve Serbe, duhet marrë parasysh rekomandimet e gjykatës kushtetuese, raporton Radiotelevizioni i Kosovës.

Gjeraqina Tuhina, e cila ka raportuar direkt nga Brukseli, ka thënë se Kryeministri Isa Mustafa, ende nuk është prononcuar për mediat lidhur me takimin.

Sipas Beogradit, ka thënë Tuhina, duhet të diskutohet për diplomat dhe për dënimin e Oliver Ivanoviqit, mirëpo gjatë këtij takimi nuk ka pasur trajtim të këtyre çështjeve.

Në raundin e radhës të këtyre negociatave në mes dy kryeministrave – Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq – të ndërmjetësuar nga Federica Mohgerini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, vazhdimisht po flitet se si të zhbllokohet situata e themelimit të asociacionit të komunave serbe.