Tahiri: Reforma zgjedhore është e nevojshme për një demokraci të shëndoshë

E publikuar: 26/10/2022 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, njëherit kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Abelard Tahiri ka thënë se për një demokraci të shëndoshë në karakter, është nevojë e kohës që kjo reformë zgjedhore t’i nxjerrë zgjidhjet më të mira, për të mundësuar zgjedhjet më demokratike edhe si procedurë edhe si përmbajtje.

“Do të punojmë bashkë me të gjitha grupet dhe subjektet politike dhe së bashku do angazhohemi për t’i përmbushur këto nevoja”, ka thënë Tahiri.

 

Postimi i plotë:

Në përgjegjësinë e Kryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, së bashku me anëtarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe me pjesëmarrjen e Shefit të BE-së në Kosovë, Ambasadorit Tomas Szunyog, sot vazhduam punën për të adresuar reformën zgjedhore, duke synuar që të përmbushim rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe standardet më të mira elektorale të demokracive perëndimore.

Për një demokraci të shëndoshë në karakter, përgjegjëse për nga detyra, llogaridhënëse për nga tipari dhe cilësore për nga përfaqësimi, është nevojë e kohës që kjo reformë zgjedhore t’i nxjerrë zgjidhjet më të mira, për të mundësuar zgjedhjet më demokratike edhe si procedurë edhe si përmbajtje.

Do të punojmë bashkë me të gjitha grupet dhe subjektet politike dhe së bashku do angazhohemi për t’i përmbushur këto nevoja. Ky imperativ është një prej proceseve më të rëndësishme në konsolidimin e mëtejmë të demokracisë tonë shtetërore e politike.