Tahiri: Radojiçiqi e paska vendosur pagën minimale, aludohet se ka deputetë të tjerë që kanë folur pas shpinës për Kosovën

E publikuar: 10/10/2024 11:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Alberad Tahiri, tha se në seancën e radhës në Kuvend, do të kërkohet shtyrja e votimeve të marrëveshjeve ndërkombëtare, për të diskutuar rreth ngjarjeve të fundit.

Tahiri shprehet se deputetët duhet të diskutojnë se si terroristi, Milan Radojiçiq, ka vendosur për pagën minimale të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Kryeterroristi Radoiçiq bashkë me qeverinë kanë përcaktuar pagën minimale në Kosovë. Jo vetëm kaq, nga kjo ata përjashtuan veteranët, familjarët e dëshmorëve, ata që lanë gjymtyrët për këtë vend. Zëvendësministri i Drejtësisë, paska qenë edhe më Mimozën edhe me Radoiçiqin. Ky Kuvend është i kriminalizur, vendimmarrje ka marr kryeterroristi Radoiçiqi”, tha Tahiri.

“Si mund të vazhdojë kjo legjislaturë kur kemi aq thellë të involvuar terroristë. Ne sot e kemi vazhdimin e seancës por do të kërkojmë vazhdimin e kësaj çështje, që të gjithë deputetët të flasin lidhur me këtë”.

Tahiri është shprehur se legjislatura e tanishme është e kontaminuar e e kriminalizuar.

Ndër të tjera, Tahiri thotë se pos shefes së GP-së të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila që ka biseduar me terroristin Milan Radoiçiq, ka dhe deputetë të tjerë që kanë bërë këtë veprim.

“Kjo legjislaturë është e kontaminuar e kriminalizuar që çdo ditë po dalin çështje të reja. Ka aludime që edhe deputetë të tjerë kanë biseda të tilla, për çka folën ata. Kjo po bëhet mbi kurrizin tonë”.

Tahiri theksoi se PDK nuk do të bashkëpunojnë në asnjë rrethanë me Lëvizjen Vetëvendosje përderisa Grupi Parlamentar i saj udhëhiqet nga Kusari-Lila.

“Ne po ua bëjmë të qartë që me këtë parti politike nuk do të bashkëpunojmë në asnjë rrethanë, në asnjë moment, përderisa e kanë kryetare të Grupit Parlamentar një person, që tashmë është e qartë që koordinimin për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës e bën me Milan Radojiçiqin, me vrasësin e Afrim Bunjakut”, tha ai.

Konferenca e Tahirit vjen një ditë pas publikimit të një audio-incizimi tjetër ku Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet duke biseduar me Milan Radojiçiq, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Bansjkë dhe të sanksionuarin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë audio-incizim, Kusari e Radojiçiq flasin për Ligjin për Pagën Minimale dhe zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

Më 14 qershor, pasi ishte votuar Ligji për Pagën minimale, edhe me votat e Listës Serbe, që atë ditë ishte në sallën e Kuvendit, Kusari-Lila kishte akuzuar PDK-në se kishte dërguar Listën Serbe për votim.

“Sot është votuar Ligji për Pagën Minimale dhe në votim kanë marrë pjesë 74 deputetë (68 për, ndërsa 8 ishin abstenime nga grupi multientik). Në këtë rrethanë, si pozitë, gjegjësisht Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka diskutuar vetëm me Grupin Multietnik të deputetëve. Fatkeqësisht, në mungesë të PDK-së, ata e dërguan Listen Serbe që t’i japin këtë konotacion i cili pastaj është përcjellë edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre”, kishte thënë Kusari-Lila në konferencën për media.

Lidhur me audio-incizimin e publikuar dje, Kusari-Lila ka reaguar duke thënë se “Po e mbrojnë Radojçiqin me sound bites dhe montazha të bisedave me ish deputetin Slavko Simiq, e fundit bisedë në qershor të 2022-tës, pas së cilës ai u nxorr jashtë nga zyra ime”.

Slavko Simiq e ka demantuar Kusari-Lila lidhur me pretendimet e saj se biseda e fundit me të ka qenë në qershor të 2022.

Simiq ka deklaruar mbrëmë se ka pasur udhëzim nga Radojçiq për të mbështetur ligjin për pagën minimale dhe emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, gjë për të cilën thotë se kërkoi Mimoza Kusari Lila.

Simiq thotë se ka komunikuar me Kusari-Lilan edhe pas qershorit 2022 dhe se nuk është përzënë asnjëherë nga zyra e saj.