Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se dështimi i qeverisë në menaxhimin e arsimit nuk është më i fshehur, ai është konkret, i dukshëm dhe i ndjerë nga çdo familje në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se tendenca e qeverisë që kinse po merren me tema të mëdha, nuk kalon.
Tendenca që kinse po merremi me tema të mëdha, për t’i fshehur dështimet n’qeveri, nuk kalon. Sot, po flasim për arsimin, një dështim i radhës i cili po ndëshkon të ardhmen e Kosovës – fëmijët dhe të rinjtë”, ka thënë Tahiri.
Postimi i plotë:
Kur dështimet e qeverisë shndërrohen në krizë kombëtare
Tendenca që kinse po merremi me tema të mëdha, për t’i fshehur dështimet n’qeveri, nuk kalon. Sot, po flasim për arsimin, një dështim i radhës i cili po ndëshkon të ardhmen e Kosovës – fëmijët dhe të rinjtë.
Po afrohet fillimi i vitit të ri shkollor, sot një javë është dita e parë e vitit shkollor, por përgatitjet për këtë ngjarje jetike duket se janë lënë totalisht pas dore. Kjo situatë është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme nga një qeveri, që e di mirë datën e nisjes së vitit shkollor, por nuk ka arritir ti bëjë as përgatitjet minimale, nuk arrin të informojë qytetarët dhe t’i orientojë prindërit dhe fëmijët, që për herë të parë nisin rrugëtimin e tyre arsimor.
Prindërit janë të pasigurt dhe të paqartë rreth përgatitjeve shkollore, si dhe rreth shpërndarjes së teksteve dhe parave të tyre. Një qeveri që nuk e merr seriozisht një proces kaq të rëndësishëm ka dështuar në përgjegjësitë e saj thelbësore.
Është për keqardhje që Qeveria është larguar nga përparësitë reale të sektorit të arsimit. Për katër vite nuk ka pasur investime në hulumtime shkencore në Universitetin e Prishtinës, një institucion kyç për përparimin e vendit. Cilësia e arsimit nuk është përmirësuar, dhe as profesorët nuk janë mbështetur në mënyrë profesionale apo financiare, në fakë ja degraduat në paga e karierë akademike.
Infrastruktura është lënë pas dore, ndërsa çerdhet dhe investimet infrastrukturore janë shndërruar në premtime të zbrazëta për votuesit.
Dështimi i qeverisë në menaxhimin e arsimit nuk është më i fshehur. Është konkret, i dukshëm dhe i ndjerë nga çdo familje në vend. Arsimi është baza e zhvillimit të një kombi, dhe kur kjo bazë është e dobët, e ardhmja e një vendi është në rrezik.
Dëshpërimi është aq i madh dhe dështimi konkret. Kjo, për shkak të premtimeve të kota. Kjo situatë duhet të ndryshojë menjëherë.
Qytetarët do ta ndalin këtë dështim më 9 shkurt!