​Tahiri: Protesta e sotme është edhe ndaj Qeverisë, për mos pagesë të plotë të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së

E publikuar: 07/08/2025 15:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj mos pagesës së plotë të mbrojtjes juridike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se përgjegjës për këtë gjendje janë kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Sot, qytetarët që do të protestojnë në shesh kundër kësaj padrejtësie, do të ngrenë zërin edhe kundër një padrejtësie tjetër të rëndë – asaj ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mos pagesa e plotë e mbrojtjes së tyre në Gjykatën Speciale është një turp institucional dhe një akt i vetëdijshëm braktisjeje. Për këtë padrejtësi janë drejtpërdrejt përgjegjës Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të cilët kanë refuzuar të përmbushin obligimet ligjore dhe morale ndaj mbrojtjes së atyre që luftuan për lirinë tonë. Kjo është një njollë që koha vetëm do ta thellojë – për Albinin, për Albulenën dhe për të gjithë ata që heshtin përballë kësaj padrejtësie”, ka deklaruar Tahiri, duke i akuzuar drejtuesit institucionalë për heshtje dhe papërgjegjësi.

Ai gjithashtu shprehu mbështetjen për protestën e sotme të qytetarëve për të ngritur zërin ndaj kësaj padrejtësie dhe ndaj proceseve që po zhvillohen kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Por dielli do të lind përsëri dhe çlirimtarët tanë do t’i kemi në Kosovën tonë të lirë e të pavarur – aty ku e meritojnë të jenë”, përfundoi Tahiri.