Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nëse nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënësit në një afat pesëditor atëherë do të bëjnë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Mosekzekutimi i pagave nga ministri i Financave është vepër penale, dhe ne do të bëjmë kallëzim penal. Do të presim pesë ditë të ekzekutohen pagat, nëse nuk ekzekutohen do të bëjmë kallëzim penal ndaj ministrit”, ka thënë Tahiri.
Ai tha se Murati nuk funksionon mbi bazën ligjore por mbi tekat e veta.
“E kemi një ministër shumë arrogant të padijshëm , realisht nuk funksionon mbi bazën ligjore por mbi tekat e veta dhe kryeministri lejon që të mos ekzekutohen pagat duke shkaktuar vepër penale”, ka shtuar ai, përcjell Klankosova.tv
Ai tha se mësimi ka nisur në mënyrën më të keqe të mundur.
“Mësimi po fillon në mënyrën më të keqe të mundshme, se janë të fyer nga kryeministri e mazhuranca, janë të demotivuar dhe kjo është mënyra më e keqe e mundshme me fillu mësimi”, ka shtuar ai.
Sipas tij, mësimi do të duhej të fillonte me një marrëveshje dhe nuk duhej të cenohej angazhimi dhe puna e tyre.