Tahiri: Negocimi në dy adresa po i shkon përshtati vetëm Serbisë

E publikuar: 12/10/2020 22:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri, sonte në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar përgjigje nga kryeministri Avdullah Hoti lidhur me qartësimin e ecurisë së procesit të dialogut dhe vendin se ku do të nënshkruhet marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

“Për mua është shumë e paqartë zoti kryeministër ku do të vazhdojë dialogu. Cila është adresa? A do të jetë Uashingtoni, apo Brukseli, sepse negocimi në dy adresa mendoj se është duke i shkuar përshtati vetëm Serbisë, por jo edhe Republikës së Kosovës. Pra, a e kemi një përcaktim ne? Ne e dimë që s’jemi pala e vetme në këtë proces, ku janë edhe SHBA, BE dhe Serbia. Edhe ne duhet ta kemi rolin tonë dhe ta japim kontributin. Ku e shihni se do të nënshkruhet marrëveshja finale, do të jetë Brukseli apo Uashingtoni”, tha ai.

Kryeministri Hoti i është përgjigjur deputetit Tahiri se procesi i dialogut zhvillohet në Bruksel në koordinim të ngushtë me Uashingtonin. Ai i është përgjigjur edhe pyetjes se pse nuk ka emëruar si koordinator për dialogun një ministër.