Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin kërkesën e qytetarëvr për tërheqjen e 30% të kursimeve pensionale.
Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Tahiri u shpreh se e vetmja mënyrë për t’ua lehtësuar pak jetesën, është tërheqja e trustit, respektivisht skemës, siç është përcaktuar tek neni 12.
Reagimi i Tahirit:
Tërheqja e Trustit!
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku diskutuam plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale deklarova:
• A del dikush që donë t’i tërheq nga qejfi kursimet e veta? Jo.
• A e kemi gjendjen e zakonshme, normale, që ne të sillemi në formën normale? Jo. E kemi një gjendje të jashtëzakonshme.
• Këto para, a janë individuale, apo para të shtetit? Janë para individuale, të njerëzve që punojnë.
Dora e shtetit tek njerëzit që janë në marrëdhënie pune, po arrin më vështirë, se sa tek qytetarët që janë në skema sociale. Skemat sociale, pak a shumë janë duke u organizuar, siç ishte mbështetja për studentë, pensionistë, ndihma këto, që në një masë të caktuar, ia japin një vlerë të shtuar të hyrave të tyre, që i kanë për jetesë.
Përderisa punëtorët e sektorit publik dhe privat, që kanë para të kursyera, nuk kanë qasje në dorën e shtetit dhe në përfitime. E vetmja mënyrë për t’ua lehtësuar pak jetesën, është tërheqja e trustit, respektivisht skemës, siç është përcaktuar tek neni 12.
E kuptoj edhe pjesën procedurale, por jemi në mes të një vendimi të thjeshtë se a duam t’ua lehtësojmë apo jo jetesën kësaj kategorie të njerëzve. Ata që janë në punë dhe marrin pagën 300-400 euro, janë rast social. Nuk është një vendim i lehtë, sepse preket skema pensioanle, por po ashtu ua lehtësojmë jetesën rreth 250-300 mijë njerëzve.