Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Kosovën po e pret një dimër i rëndë.
Gjatë fjalës së tij në kuvend, ai kritikoi qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti, për paaftësi në raport me krizën energjetik.
“Duket që tashmë do të hyjmë në një dimër të rëndë, nuk e dimë as planifikimin e prodhimit të energjisë elektrike dhe s’kemi as marrëveshje me shtete tjera prodhuese më të mëdha të energjisë elektrike. Ne kur jemi ballafaquar që në muajin gusht me pas reduktime, e dimë çka na pret në dhjetor. Kur ju në gusht nuk keni arritur me mirëmbajt me prodhu mjaftueshëm Kosova A dhe Kosova B, kur ka qenë katër me e dy pa, dhjetori ka me qenë i tmerrshëm. Kur në gusht e keni sjell situatën me pas reduktime, dhjetori dhe janari do të jenë muaj të tmerrshëm”.
Tahiri u shpreh se nuk është në dijeni se për çka po shërben shpallja e gjendjes emergjente, pasi sipas tij, qeveria është në heshtje dhe nuk thotë asgjë.
“Nuk është marre me gabu, mos me i zgjedh njerëzit e duhur t’i drejtojnë institucionet, po bëhen dy vjet që po ballafaqohesh me probleme të njëjta, që po t’i shkaktojnë njerëzit e njëjtë, duhet me i largu këta njerëz të paaftë. Kryeministri dhe qeveria duhet të reflektojnë, të gjithë jemi për me ju ndihmu dhe me e përballu këtë gjendje më lehtë, sa më pak reduktime”.
“Për një gjë po ju shërben mirë shpallja e gjendjes emergjente, për kontratat njëburimore të KEK-ut, veç për tendera, për asgjë tjetër. Kjo praktikë e keqmenaxhimit duhet me u ndal, na duhet një angazhim shumë serioz i kësaj qeverie, një angazhim i kryeministrit”, tha ai.