Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për projektligjin e zyrtarëve publikë, duke thënë se në thelbin e vet, e varros meritokracinë në administratën shtetërore.
Ai pyeti se cili është synimi i një zyrtari apo zyrtarje të shtetit, duke thënë se karriera e tyre varet nga cilado parti që vjen në pushtet.
“Sot para nesh është një ligj i cili meriton vëmendjen tonë, por njëkohësisht meriton edhe vëmendjen e kryeministrit dhe zv/kryeministrit të parë i cili është përgjegjës për agjendën evropiane. Përpara kemi një ligj i cili na vjen në këtë seancë për shkak se Kushtetuesja i ka kontestuar disa nene dhe pas 22 muajve, në emër të platformës punësim e drejtësi, që ka qenë platforma e LVV-së, na vjen një ligj i cili në thelbin e vet e varros meritokracinë në shërbimin publik, në administratën shtetërore”.
“Cili është motivi, synimi i një zyrtarit të shtetit që të rrijë e të mendoj për karrierën e vet, kur karriera e vet në ngritje varet prej partisë në pushtet. Vendimmarrja për 1 mijë e 600 pozita të mesme e të larta, varet nga vendimi i Qeverisë, që e bëjnë njerëzit”, theksoi ai në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Tahiri deklaroi se i njëjti ligj nëse miratohet, rrezikon zyrtarët që janë të nivelit të mesëm apo të lartë, pasi theksoi se ata janë në presion nëse do t’u vazhdohet apo jo kontrata.
“Me miratimin e këtij ligji, asnjë ministër në dikaster të vetin nuk do të mund të, kur i shkon një emër prej partisë, është e kundërligjshme. Secili drejtor, i cili sot e ka mandatin e tretë apo të katërt, është në presionin e tij se a do t’i vazhdohet kontrata”, argumentoi Tahiri, teksa përmendi se këto projektligje rrezikojnë të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Për mua, kjo është godita më e madhe që i jepet sistemit demokratik, në emër të gjeneratave të reja. Ky ligj, besoni në pozitën më të keq, ka me iu vendos juve e nesër neve. Sot jeni ju, nesër do të jemi ne”, shtoi Tahiri.