Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, tha se qasja e shumicës së Vetëvendosjes në Kuvend, po e dëmton konsesusin politik dhe funksionimin e punës për votimet e ligjeve të rëndësishme në interesë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
“Ne sot po trajtojmë një çështje të rëndësishme që lidhet me fushën e arsimit. A jeni duke e pa se çka është duke bë ministri i financave? A e kemi mbështet një amandament për ndryshimin e ligjit të buxhetit i cili fillon më 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor. Me të vetmin qëllim, e ai qëllim ka qenë qe të hyrat vetanake komunave t’i kthehen. Ky ka qenë qëllimi, për këtë kemi votu, për këtë ka votu edhe Lëvizja Vetëvendosje. Pra po ju them që edhe fëmija në djep e din këtë qëllim që të hyrat vetanake të shkojnë në komunë”, tregoi Tahiri.
“Tjetra, a jeni duke e pa se kjo qasje është duke e dëmtuar në esencë koncensusin politik për marrëveshje ndërkombëtare edhe për ligje të tjera” shtoi ai.
Tahiri tha se kjo qasje e LVV mun ta çojë në bllokadë kuvendin.
“Kjo se çfarë jeni duke bërë ju, ju them me përgjegjësi të plotë se na qon në bllokadë të Kuvendit. Andaj, ju lutem merreni seriozisht këtë temë dhe nëse keni dilema lypni interpretim ligjor”, u shpreh ai.
Krejt në fund Tahiri i tha ministrit të Financave se qasja e tij është krejtësisht gabim.
“Qasjen e ki gabim ministër, je ka e dëmton funksionimin, po na i dëmton marrëveshjet ndërkombëtare dhe jemi tu u sjell e tu u pshtjell rreth një teme e cila ka zgjidhje me këtë amandament”, përfundoi ai.