Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka folur për, siç ka thënë ai, dështimin më të madh kësaj qeverie që tha se lidhet me programin legjislativ.
Ai paraqiti një dokument për të cilin ka thënë se është dështimi i kësaj qeverie.
“Kjo qeveri është fshehur që tri vite e gjysmë pas asaj se kam pengesa në zbatimin e programit qeverisës. Çfarë pengese ka nga opozita kjo qeveri për të zbatuar planprogramin e vet? Pra kush i pengon? Në letërnjoftimin e kësaj qeverie për vitin 2024 asnjë ligj i cili lidhet me politikat e programit “Krejt dhe Drejt” nuk është përfunduar”, ka thënë Tahiri.
Tahiri tha se kjo qeveri në periudhën janar-qershor 2024 ka paraparë 54 ligje, prej të cilave tha se janë miratuar vetëm gjashtë.
“Projektligje të miratuar në leximin e parë 3, projektligje të proceduara në Kuvend një, dhe Projektligje që nuk kanë nisur procedurën janë 44. Këto të dhëna tregojnë për një normë të mashtrimit përmes dokumenteve. Është mashtrim me letra”, është shprehur Tahiri në konferencën për media.
Shefi i deputetëve të AAK-së tha se qytetarët e Kosovës tash e tri vite e gjysmë e presin ligjin për sigurimet shëndetësore.
“Shikoni sa herë ka premtuar kryeministri për këtë aspekt. Sektori i shëndetësisë është sektori për eksperimental i kësaj qeverie. Ligji për sigurime shëndetësore ka pasur të vije për votim më 28 qershor në Kuvend, nuk ka ardhur”, tha Tahiri.
Ai shtoi se kjo qeveri e ka marrë votën dhe besimin mbi 50% pasi që qytetarët deshën që të shohin një ndryshim, e jo që kishte ndonjë program.
“Besimi i qytetarëve është tradhtuar. LVV-ja është partia që po i bënë gati katër vjet qeverisje dhe gjithçka që ka bërë deri tash është vetëm në letër”, tha Tahiri.