Tahiri: Kosova në krizë sigurie, Qeveria e lidhur me banda kriminale dhe fajdexhinjtë

E publikuar: 12/08/2025 15:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se rastet tronditëse të pesë vrasjeve të rënda në 48 orët e fundit, pas një serie tjetër të vrasjeve që ndodhën nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Tahiri në një konferencë për media, theksoi se Kosova po kalon nëpër një gjendje alarmante të sigurisë, ku po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe mbrojtura nga pushteti.

“Kosova po kalon një gjendje alarmante të sigurisë, për 48 orë kemi pesë jetë të humbura nga vrasje të rënda, pesë familje të shkatërruara, pesë tragjedi që në rrethana normale, në një shtet efektiv nuk do të duhej të ndodheshin. Këto vrasje erdhën vetëm pak ditë pas një serie tjetër të vrasjeve që ndodhën në komuna të ndryshme e ku shumë makabre ishte ajo në Lipjan, ku autori u gjend sot. Tashmë këto vrasje nuk janë vetëm aksidente apo fatkeqësi të rastësishme, por janë pasqyra e qartë e dështimit të plotë të shtetit për ta mbrojtur jetën e qytetarëve në republikën tonë”, tha Tahiri.

Tahiri tha se këto banda kriminale janë të lidhura drejtpërdrejt me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese.

“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhinjtë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Partia Demokratike e Kosovës iu shpreh ngushëllime më të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga këto vrasje. Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësimin e madh për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë”, tha ai.

Sipas Tahirit, vetëm një qeveri e re, e vendosur, mund ta ç’kapë shtetin nga krimi, t’i çojë para drejtësisë të gjithë ata që kanë gjak në duar e pasuri nga droga dhe korrupsioni, dhe do ta rikthejë rendin, sigurinë dhe ligjin mbi të gjithë.

Ai u shpreh se pas formimit të Kuvendit, do të procedojnë Kodin e ri Penal, prej të cilit personat me armëmbajtje pa leje nuk do të dënohen me gjobë, por vetëm me burg efektiv.

“Sot e kemi një qeveri e cila është e lidhur me këto banda kriminale, me fajdexhinjtë dhe njerëz që terrorizojnë dhe shkaktojnë pasiguri të madhe dhe marrin jetën e qytetarëve të ndershëm. Vetëm një shkëputje e fuqishme mund të bëhet, ndërprerja e jetës së kësaj qeverie, ardhja e një qeverie të re e cila do të shkëpuste këto lidhje. Në ditët e para të legjislaturës së re do të procedojmë Kodin e ri Penal, i cili tashmë armëmbajtjen pa leje nuk do ta dënojë me gjobë, vetëm me burg efektiv”, u shpreh Tahiri.

Tahiri ka theksuar edhe tre raste që faktojnë lidhjen e bandave kriminale me eksponentë të pushtetit: arrestimin e Besnik Mujecit, asamblist i VV-së në Shqipëri për trafikim dhe shitje të narkotikëve; Shemsi Bahtiri, anëtar aktiv i Vetëvendosjes në Qendrën e Prishtinës; dhe Mefail Shkodra, i cili është parë në ahengjet e partisë në pushtet e është i njohur për vepra të shumta penale e vrasjen e tre personave të dielën në Gjilan.