Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri është shprehur se Kosova është në një bllokadë, me mos ekzekutimin e pagave në ditën e fundit të muajit, ashtu siç e parasheh dhe ligji për paga.
Tahiri tutje shton se këtë situatë e solli neglizhenca e qeverisë, njofton Klankosova.tv.
“Në një konferencë të jashtëzakonshme të premten, unë paralajmërova qeverinë për një çështje serioze, shihet shumë qartë se këtu ka një pazotësi serioze, ose ka një papërgjegjshmëri të skajshme, ose këta njerëz me qëllim po mundohen të krijojnë trazira në Kosovë. Ne jemi në një situatë bllokuese”, u shpreh Tahiri në Edicioni Special të Klan Kosova.
“Po pastaj ka shkelje të ligjit të pagave, që në mënyrë eksplicite thuhet se deri në ditën e fundit të muajit duhet të ekzekutohen pagat deri në orën 24:00. E pabesueshme, e pashpjegueshme kjo situatë. Nuk ka mundur askush ta besojë se vjen Kosova, 25 vjet pas lufte, e 16 vjet pas Pavarësisë, një qeveri që na është shtirur si akademika, na e kanë lodhë shpirtin duke folur për diplomat që i kanë, bien këtë situatë si shkak të neglizhencës”.