Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar diplomacinë e Kosovës, e edhe presidenten Vjosa Osmani për përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se gjatë këtij viti Kosova nuk ka pasur asnjë njohje të re e as nuk është anëtarësuar në Këshill të Evropës.
Gjatë vitit 2022, Kosova nuk ka pasur asnjë njohje të re, nuk është anëtarësuar në Këshill të Evropës, as në Interpol, nuk ka as liberalizim vizash e as status kandidati për BE, as anëtarësim në Partneritet me NATO-n, dhe për më keq, vet përbërja e shtetit tonë është bërë temë diskutimi në koncept nota e propozime”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka kritikuar presidenten Osmani për fjalimin e saj në Konferencën e Ambasadorëve, duke thënë se “ajo nuk dha asnjë shembull të vetëm sesi e ka përfaqësuar vendin në politikën e brendshme dhe të jashtme”.
“Kështu që në Konferencën e Ambasadorëve që u mbajt dje, presidentja Osmani iu dha leksion ambasadorëve të Kosovës, se si duhet të flasin e përfaqësojnë Kosovën, pa pasur t’iu japë as edhe një shembull të vetëm, se si ajo e ka përfaqësuar vendin, çka ka arritur e me çka është dalluar në politikën e brendshme apo të jashtme gjatë këtij viti, përveç mllefit që e përdorë si “armë” për të mbuluar deficitet politike”, ka shkruar Tahiri.