Tahiri kërkon zbatimin e marrëveshjeve

E publikuar: 02/04/2015 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, ka vlerësuar lartë përparimet e arritura në dialog në këtë periudhë, arritjen e marrëveshjeve për çështjen e “Mbrojtjes Civile” dhe atë të drejtësisë.
Këto komente Tahiri i ka bërë gjatë qëndrimit në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Ajo ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës ka filluar realizimin e obligimeve të saj zbatuese. “Këto zhvillime pozitive janë një shtytje e re për këtë proces dhe që duhet të shërbejnë për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjeve në fushat ku janë evidentuar stagnime dhe zvarritje”, ka thënë Tahiri.

Ministrja Tahiri me theks të veçantë gjatë takimeve me zyrtarët e Bashkimit Evropian ka diskutuar për çështjen e kodin telefonik për Kosovën, çështjet e energjisë, lëvizjes së lirë, heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, arritjen e marrëveshjes për sigurimin e automjeteve, etj.

Të dyja palët u pajtuan për nevojën e shtimit të angazhimeve në zbatimin e marrëveshjeve, ku për çështjen e kodit telefonik për Kosovën, pati diskutime dhe përfarim qëndrimesh në drejtim të finalizimit sa më të shpejtë të marrjes së Kodit telefonik për Kosovën nga ana e ITU-së. Po ashtu, në çështjet e energjisë, u diskutuan zgjidhjet për aspekte të caktuara të zbatimit të marrëveshjes për energjinë, ndërsa u vlerësua se sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshje ka hapa pozitiv drejt implementimit siç ishte nënshkrimi i dy marrëveshjeve të bashkëpunimit në mes të Autoriteteve të Sistemeve Transmetuese të Energjisë të dy shteteve, gjë që u bë e mundur në saje të këtij dialogu.

Sa i takon, lëvizjes së lirë, ministrja Tahiri ka paraqitur kërkesën për hapjen e një pikëkalimi të ri kufitar mes Kosovës dhe Serbisë te pika “Kapia e Sfircës” duke njoftuar BE-në se kryetarët e Komunave të Kamenicës dhe Medvegjës kanë bërë një kërkesë të tillë pranë autoriteteve të shteteve përkatëse.

Ajo ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme të angazhohet në këtë drejtim sepse ky pikëkalim do t’ua lehtësonte lirinë e lëvizjes qytetarëve duke shkurtuar distancën rrugore për më shumë se 100 km, ndërsa ka kërkuar nga BE-ja që këtë çështje ta bisedojë me palën serbe.

Në kuadër të lëvizjes së lirë u diskutuan edhe pengesat që u shfaqën me rastin e ndaljes së autobusëve dhe kamionëve të Kosovës nga ana Serbisë, ku u arrit pajtimi se palët duhet të respektojnë marrëveshjen dhe në rast të nevojës për standarde të reja, çështjet duhet të dakordohen paraprakisht në dialogun e Brukselit.

Ministrja Tahiri ka folur edhe për veprimet pozitive që po i ndërmerr Zyra e BE-së në Kosovë për revitalizimin e Urës së Ibrit dhe heqjen e barrikadës mbi urë dhe të tjerat përreth, duke shprehur bindjen se plani për veprim do të realizohet në afatin e paraparë.