Tahiri i çon letër Haxhiut, kërkon sqarime për financimin e ekspozitës së Gashit

E publikuar: 28/03/2026 22:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, duke kërkuar sqarime të detajuara lidhur me financimin dhe organizimin e ekspozitës me të dhëna të pasakta mbi luftën në Kosovë.

Në letrën e tij, Tahiri thekson rëndësinë e rritjes së transparencës dhe forcimit të llogaridhënies ndaj qytetarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për përdorimin e mjeteve publike në iniciativa që lidhen me çështje të ndjeshme të historisë dhe kujtesës kolektive.

Ai kërkon që institucionet përkatëse të ndërmarrin disa hapa konkretë, si të ofrohet një sqarim i plotë dhe i detajuar për shumën e mjeteve financiare të ndara për realizimin e ekspozitës, të bëhen publike data e shpalljes së thirrjes për aplikim dhe kriteret mbi të cilat është zhvilluar procesi i përzgjedhjes, dhe të publikohet numri i organizatave që kanë aplikuar dhe të sqarohet se cila institucion apo komision ka qenë përgjegjës për përzgjedhjen e përfituesve.

Sipas Tahirit, transparenca në menaxhimin e mjeteve publike është thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.