Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ‘është e pabesueshme se në çfarë gjendje mendore është kryeministri Kurti, kur flet për luftë’.
Tahiri deklaroi se në Republikën e Kosovës është prezenca e NATO-së, fuqive të mëdha që garantojnë sigurinë tonë.
“Është e pabesueshme se në çfarë gjendje mendore është duke operuar kryeministri jonë. Në Republikën e Kosovës kemi prezencën e NATO-së, fuqive të mëdha që garantojnë sigurinë tonë. Nuk shoh arsye që kryeministri bën deklarata të tilla, pos për ta zhvendosë vëmendjen prej problemeve që qeveria e tij po tregohet e paaftë për t’i trajtuar”, tha ai.
Sipas tij deklaratat e kryeministrit nuk janë asgjë tjetër veç me e tërheq vëmendjen prej problemeve të brendshme të dialogut.
“Pra, çështja e migrimit sot në vendin tonë është shndërruar në një problem tepër serioz. Nuk mbaj mend asnjëherë nga viti 1999 që kemi pasë kaq shumë kërkesa me lëshu vendin tonë.
Problemet tjera që jemi duke u ballafaquar, me grevat, me shëndetësinë ku kryeministri jonë ka marrë drejtimin e një Komisioni shkaku i paaftësisë së ministrisë së tij për me i trajtu problemet në Shëndetësi, dhe tani kryeministri për shkak të gjithë këtyre problemeve, me inflacionin dhe ngritjen e çmimeve që kanë ndodhë në Kosovë ku muaji është i papërballueshëm, prandaj deklaratat e kryeministrit nuk janë asgjë tjetër veç me e tërheq vëmendjen prej problemeve të brendshme të dialogut”, tha ai.