Kina planifikon të ndërtojë 600 000 stacione bazë 5G brenda këtij viti, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në mbi dy milionë, tha Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit në një konferencë për shtypin të martën.
Në Kinë tani ka 1.85 milionë stacione bazë 5G, nga të cilat 300 000 janë ndërtuar në tremujorin e dytë të këtij viti, bëri të ditur Wang Peng nga Zyra e Informacionit dhe Administrata e Komunikimit e kësaj ministrie.
Zbatimi i integruar i 5G-së dhe rrjeteve optike gigabit është promovuar në fushat e industrisë, shëndetësisë, arsimit dhe transportit me një ritëm më të shpejtë, u shpreh Wang, duke shtuar se numri i aplikimeve të 5G-së i ka kaluar 20 mijët.
Kina ka vazhduar promovimin e internetit 5G+industrial me më shumë se 3 100 projekte përkatëse që janë në zbatim, duke përfshirë 700 projekte të reja në tremujorin e dytë.
Tian Yulong, kryeinxhinier në Ministrinë e Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit, tha në konferencën për shtypin se radarët e rinj me lazer, mikroçipat e prodhimit vendës dhe platformat informatike të bazuara në automjete janë zbatuar tashmë të gjitha te makinat.
Sipas tij, dendësia e energjisë për një bateri treshe të prodhuar në masë arriti nivelin më të lartë në botë prej 300 vat-orësh për kg dhe e baterisë pa kobalt në 240 vat-orë për kg.
Në gjysmën e parë të këtij viti, në Kinë u ndërtuan 1.3 milionë pika të ngarkimit të energjisë elektrike, 3.8 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe janë ngritur më shumë se 10 000 pika shërbimi për riciklimin e baterive, tha Tian.
Synohen të arrihen 2 milionë stacione bazë 5G në fund të këtij viti
NGA KATEGORIA