Situata e krijuar në Veri të Kosovës ka shkaktuar fërkimin e radhës në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.
Mbyllja e degëve postare të Serbisë në Veri të Kosovës dhe paralajmërimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Evropian, po cilësohen si “veprime të njëanshme” të Qeverisë që mund të shkaktojnë përshkallëzimin e situatës në komunat të banuara me shumicë serbe.
Qeveria e Kosovës, përkundër kritikave të shumta, po argumenton se të gjitha veprimet e ndërmarra në Veri kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe kushtetutës.
Për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, synimi kryesor i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nën siglën e “shtrirjes së sovranitetit në Veri”, është krijimi i një fryme ku formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk shihet më si një mekanizëm që e minon shtetësinë e Kosovës, por përkundrazi i shërben komunitetit serb.
Kurti, sipas analistit politik, është peng i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit – fakt të cilin e di edhe ai vetë – dhe nuk mund ta shmang pafundësisht mos-formimin e Asociacionit, andaj me aksione të tilla ai po e përgatit terrenin për formimin e tij.
“Kurti po dëshiron të krijojë përshtypjen në opinion se kurdo që vjen koha të zbatohet ky obligim, tashmë nuk paraqet rrezik për shtetin e Kosovës, sepse është vendosur rendi dhe ligji, e ai është në shërbim të qytetarëve të Kosovës me përkatësi serbe, e jo të bandave kriminale. Pra ai nuk ofron një entitet shtesë për pushtetin e Milan Radojiçiç-it, ngase ky i fundit nuk ka vend më në Kosovë, por për qytetarët e zakonshëm serbë”, ka thënë Kasolli për Albanian Post.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar rëndimin e masave ndëshkuese të vendosura kundër Kosovës një vit më parë për shkak të “veprimeve të pakoordinuara” të lidershipit kosovar në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë iniciativën për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme të Francës, nëpërmjet një komunikate për media, ka dënuar me terma të ashpra situatën e krijuar në Veri të Kosovës javëve të fundit – mbyllja e degëve postare të Serbisë në Veri dhe paralajmërimi i autoriteteve kosovare për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.
“Këto situata ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga MPJ-ja franceze.
Përveç kësaj, situata e krijuar në Veri, sipas komunikatës, rrezikon edhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbisë.
“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i ri i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve. Ai inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të përparojnë në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër”.
Ndërkaq, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller, në një konferencë për shtyp të mërkurën, ka deklaruar se administrata amerikane është e shqetësuar për “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë mbështetjen amerikane për rrugën euroatlantike të Kosovës.
“Jemi të shqetësuar për vazhdimësinë e vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë të cilat ne kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë – që nga shpallja e pavarësisë, ne kemi mbështetur integrimin e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe multietnike”, ka thënë zëdhënësi i DASH-it.
“Por për të realizuar këtë vizion, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës rreth masave për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka shtuar ndër të tjera Miller, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për Kosovën pas mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit ditë më parë.
Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok – është bërë për shkak se ato kanë qenë duke funksionuar pa licencë brenda territorit të Kosovës, pra rrjedhimisht nuk kanë qenë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka theksuar se mbyllja e degëve të postës serbe, përkatësisht “veprimet e pakoordinuara” në veri, përveçse se kundër frymës së marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, rrezikojnë ta lënë të bllokuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE të mbetet i bllokuar në inbox. BE-ja lulëzon duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe neve na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, ka paralajmëruar ambasadori gjerman. (AP)