Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla ka reaguar ndaj deklaratave të Azem Vllasit, duke thënë se ai nuk ka të drejtë të shtrembërojë realitetin dhe kontributin e askujt në ngjarjet e vitit 1981.
Syla në reagim ka shkruar se është gabim i rëndë përpjekja për paraqitjen e demonstratave të 1981 si të dëmshme për Kosovën, përndryshe qytetarët e Kosovës po ta ndiqnin rrugën politike të Azem Vllasit, Kosova kurrë nuk do të ishte shtet i pavarur dhe sovran, por në të njëjtin status, a më pak, se sot Krahina Autonome e Vojvodinës.
Ja reagimi i plotë
Është për keqardhje që edhe 34 vjet cpas ngjarjeve të vitit 1981, Azem Vllasi vazhdon ta ketë të njëjtin mendim që pati Beogradi, Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe qëndrimet zyrtare të asaj kohe, duke i quajtur të dëmshme për Kosovën, ideologjike, enveriste dhe staliniste.
Kjo është çështje e ndërgjegjes së tij, e formimit politik dhe rezultat i radhitjes së tij nga ana tjetër, pra nga fryma e Jugosllavisë, e Titos dhe Beogradit të atëhershëm zyrtar.
AzemVllasi nuk mund të flas në emër të organizatorëve, veprimtarëve , frymëzuesve dhe asaj gjenerate e cila veproi më 1981.
Është historia e gjatë e përpjekjeve për çlirim të Kosovës, veçanërisht ajo pas Luftës së Dytë Botërore, që nuk është ndalur për asnjë moment.
Organizatat patriotike që kanë vepruar tërë kohën edhe në kushte të ilegalitetit pothuajse pa përjashtim kanë pasur platforma politike për çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia, bashkimin e tyre me shtetin amë Shqipërinë.
Ekzistojnë qindra materiale të tilla që dëshmojnë këtë synim kryesor të këtyre organizatave, pra çlirimin dhe bashkimin me Shqipërinë, qënuk mund t’i mohojë dhe shpallë si jo ekzistuese as Azem Vllasi. Ndër dokumentet më të rëndësishmit janë“Tezat për Frontin e Republikës së Kosovës” (1981).
Për Azem Vllasin mund të mos ketë fuqi kërkesa “Kosova Republikë”, si kërkesë themelore e ngjarjeve të vitit 1981, sepse politikisht ai ka qenë i radhitur kundër kësaj kërkese, ka dënuar demonstruesit si kundërrevolucionarë, separatistë dhe irredentistë madje ka larguar të gjithë profesorët me orientim kombëtar nga katedrat e Universitetit të Kosovës.
Radhitja e tij është çështje individuale, por ai nuk ka të drejtë të minimizojë dhe shtrembërojë realitetin dhe kontributin e askujt në ngjarjet e 1981.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratave vërtetë kanë bartur frymën e dashurisë ndaj Shqipërisë si atdhe, për dallim nga Azem Vllasi i cili ka qenë i radhitur nga Beogradi dhe i edukuar me dashurinë ndaj Jugosllavisë dhe Titos.
Janë ngjarjet e 1968, ato të vitit 1981, 1989/90, rezistenca civile e viteve 1990, dhe në fund lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që së bashku me aleatët perëndimorë , në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurorëzuan synimin shekullortë Kosovës, çlirimin dhe pavarësinë e saj
Është gabim i rëndë përpjekja për paraqitjen e demonstratave të 1981 si të dëmshme për Kosovën, përndryshe qytetarët e Kosovës po ta ndiqnin rrugën politike të Azem Vllasit, Kosova kurrë nuk do të ishte shtet i pavarur dhe sovran, por në të njëjtin status, a më pak, se sot Krahina Autonome e Vojvodinës.