Tiranë më, datë 11 Tetor 2017, në orën 14:00 – 14:45, në ambientet e Innovation Hub Tirana, do të organizohet eventi i nënshkrimit të një partneriteti strategjik mes Microsoft dhe Swisscontact.
Qëllimi: Një fillim pa shumë bujë drejt një partneriteti strategjik për të përgatitur dhe për t’i mundësuar Evropës Lindore të zhvillohet në bazë të teknologjive të reja. Ky është synimi ku Microsoft dhe Swisscontact bazojnë vullnetin për tu futur në këtë marrëdhënie ndër-rajonale partneriteti.
Aftësi për Punë (S4J), projekti që kontribuon në inovacionin dhe mënyrat e reja të të mësuarit dhe punuarit bazuar në teknologji në 6 shkolla të arsimit profesional në Shqipëri, do jetë i pari ku aplikohet kjo marrëveshje. S4J synon t`u ofrojë të rinjve shqiptarë një ofertë cilësore e arsimit dhe formimit ku përdoret intensivisht teknologjia e informacionit, mjedisi virtual i të nxënit dhe individualizimi i planeve të zhvillimit në varësi të talentit dhe interesave të secilit për një status më të mirë punësimi.
Microsoft, gjigandi i teknologjisë në botë, ka zhvilluar tashmë programe dhe sisteme të përshtatura për arsimin duke ofruar zgjidhje dhe alternativa në drejtim të zhvillimit të kompetencave digitale dhe pregatitjes për një treg pune në revolucionin e katërt industrial të teknologjisë së informacionit.
Nismat e përbashkëta të S4J me Microsoft tashmë kanë filluar dhe të dy organizatat janë të gatshme të konsiderojnë mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm, pasi besojnë se vizioni, qasja dhe zgjidhjet që ofron teknologjia, janë një mundësi për vendet në zhvillim.
Firmosja e kësaj marrëveshje nga Z. Sokol Vladi, Drejtori i Përgjithshëm i Microsoft Albania dhe Z. Henry Leerentveld, Drejtor i Swisscontact për Europën Lindore, do të zhvillohet gjatë një ceremonie të shkurtër e pasuar nga diskutime dhe networking.
#Kontakt
Mediat e interesuara janë të ftuara të marrin pjesë. Për më tepër informacion kontaktoni zyrën tonë të shtypit.
Rreth Swisscontact
Projekti S4J financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) për fazën e saj të parë dhe zbatohet nga Swisscontact (SC), një fondacion ndërkombëtar zviceran i specializuar në Arsimin dhe Trajnimin Profesional dhe Zhvillimin e Sektorit Privat. SC është aktiv që nga viti 1994 në Shqipëri duke zbatuar projekte të ndryshme. SC bazohet në qasje inovative, bashkëpunim me sektorin privat, një fokus të fortë në mësimin praktik, orientim drejt botës së punës, decentralizim me përfshirjen e palëve të interesuara lokale dhe kontributet në reformimin e sistemeve.