Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Policia e Kosovës ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM” të regjistruara rishtazi në dhjetor 2022, të cilave u është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës.
Ai ka thënë se me ri-regjistrimin e këtyre veturave me targa “KM”, Serbia ka shkelur dakordimin për targa.
Ai ka thënë se veturat me targa të tilla nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë.
Njoftimi i plotë i Sveçlës:
Serbia ka shkelur dakordimin për targat
Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022.
Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim.
Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës.
Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre.
Ftojmë të gjithë qytetarët, pronarë të veturave me targa të tilla, të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.