Sveçla: Rusia s’mund të pranojë kurrë një Europë të qetë, as Serbia një Ballkan të qetë

E publikuar: 04/11/2022 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, me ftesë të Presidencës Çeke të Këshillit të Evropës, ka marr pjesë në forumin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Tiranë.

Në këtë forum tema qendrore të diskutimit ishin ndikimi në siguri i invazionit të Rusisë mbi Ukrainën, si dhe për migrimin dhe menaxhimin kufitar.

Me këtë rast Sveçla, sipas MPB’së, ka theksuar se invazioni i pa provokuar dhe i padrejtë i Rusisë ndaj Ukrainës, ka ndryshuar në gjithë botën arkitekturën e sigurisë, si dhe ka ngritur nevojën për bashkëpunim edhe më të ngushtë mes të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Lidhja e afërt e Serbisë me Rusinë cenon stabilitetin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, saktësisht sigurinë tonë, duke pasur parasysh që Serbia në bashkëpunim me Rusinë po intensifikon sulmet dhe dezinformatat me qëllim të destabilizimit të vendit tonë”, ka theksuar ministri Sveçla.

Ai ka shtuar se me ristrukturimin e qeverisë së Serbisë ka ndodhur vetëm ndryshim emrash, duke sjellë në funksione njerëz të periudhës së Millosheviqit dhe asesi ndryshim i bindjeve në raport me Republikën e Kosovës, por edhe vendeve tjera të rajonit.

“Rusia nuk mund të pranojë kurrë një Europë të qetë, ndërsa Serbia nuk mund të pranojë kurrë një Ballkan të qetë. Thellimi i bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe më gjerë e largon Serbinë nga vlerat e përbashkëta demokratike për të cilat të gjithë ne si Ministra të Ballkanit Perëndimor po angazhohemi”, ka theksuar tutje në fjalimin e tij ministri Sveçla.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, do të angazhohen maksimalisht në nisma të tilla rajonale, të cilat kanë për qëllim ngritjen dhe forcimin e sigurisë tonë dhe në ngritjen e kapaciteteve në luftimin e të gjitha fenomeneve negative me të cilat ballafaqohemi tani dhe me të cilat mund të ballafaqohemi më tutje” ka shtuar ai.