Sveçla reagon pas sulmit ndaj policisë në veri: Grupet kriminale duan të ngjallin frikë

E publikuar: 27/01/2023 22:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar për sulmin ndaj një veture të Policisë së Kosovës teksa po patrullonte në veri.

Sveçla tha se grupet kriminale të mbështetura nga Serbia po synojnë të shkaktojnë frikë e pasiguri në territorin e Kosovës.

“Edhe njëherë, Policia e Kosovës është gjuajtur me armë zjarri. Grupet kriminale të përkrahura nga Serbia synojnë ta ngjallin një atmosferë frike dhe pasigurie duke targetuar zbatimin e ligjit”, shkroi Sveçla në Twitter.

Tutje, ai tha se këta persona po synojnë ta kthejnë veriun e Kosovës në një zonë pa sundim të ligjit, por se, sipas ministrit, këto përpjekje janë të kota.

“Qëllimi i tyre përfundimtar: ta kthejnë veriun e Kosovës në një zonë të paligjshme e të udhëhequr nga kriminelët. Përpjekjet e tyre në fund do të dështojnë”, tha Sveçla.

Një veturë e Policisë së Kosovës është sulmuar me plumba në veri, nga persona të panjohur.

Përmes një komunikate, nga policia njoftojnë se sulmi me armë zjarri ka ndodhur në drejtim të patrullës policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare lokacionin Banjskë – Izvor të komunës së Zveqanit.

Nuk raportohet për të lënduar, përpos dëmeve në veturë.

Policia njofton se ka identifikuar një veturë të braktisur, me targa të dyshuara, në afërsi ku ndodhi sulmi, si dhe gjurmët e personave që dyshohet të jenë autorët.

“Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distance prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.