Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kryetarët e komunave Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq, janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale teksa ka bërë thirrje që qytetarët serbë lokalë të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale për të kundërshtuar.
Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.
“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë. Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do të jenë në shërbim të qytetarëve të vendit “pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë”.