Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim Komisionerin e Lartë të OSCE për Minoritetet, Christophe Kamp, të cilin e falënderoi për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE ka dhënë në fuqizimin e kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“E falënderova Komisionerin Kamp për vizitën si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE ka dhënë në fuqizimin e kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në komunikatë.
Gjatë takimit, u diskutuan angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huaj, si dhe veprimet e mëtejme në funksion të integrimit të shëndetësisë dhe arsimit në pjesën veriore të Republikës, në kornizën ligjore të Kosovës.
Sipas komunikatës, ministri Sveçla e njoftoi Ambasadorin Kamp edhe me angazhimet e ministrisë në funksion të përfshirjes së komuniteteve brenda institucioneve dhe në shërbim të tyre.
“Ministri Sveçla rikonfirmoi përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në respektimin dhe garantimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe angazhimin e plotë të institucioneve relevante me qëllim të ruajtjes së një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët”, theksohet në komunikatë.


















