Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme, ka reaguar pas vërshimeve që kanë përshirë vendin për shkak të reshjeve të shiut, si dhe për zjarrin që dje përfshiu një pjesë të fabrikës Comodita, në Gjakovë.
Për këtë të fundit, Sveçla ka falënderuar zjarrfikësit për lokalizimin e zjarrit, duke thënë edhe se, tani mbetet që ekipet profesionale të AME-së të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Sveçla ka falënderuar edhe ushtarët e FSK’së, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe institucionet lokale për angazhimin e tyre gjatë këtyre ditëve.
Postimi:
Gjatë ditëve të fundit, vendi ynë është ballafaquar me vërshime në disa komuna. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave është mobilizuar me kapacitetet e saj maksimale për ta tejkaluar këtë situatë sa më shpejt dhe sa më lehtë.
Përveç vërshimeve, zjarrfikësit janë ballafaquar edhe me zjarre të përmasave të ndryshme. Një ndër to ishte edhe zjarri në fabrikën e dyshekëve në Gjakovë. Falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua. Tashmë mbetet që ekipet profesionale të AME-së të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin pjesëtar të AME-së, secilin zjarrfikës dhe anëtar të ekipeve të kërkim-shpëtimit, secilin pjesëtar të FSK-së, institucionet lokale, si dhe secilin qytetar për angazhimin dhe solidaritetin e treguar këto ditë, në ndihmë të të prekurve dhe në minimizimin e dëmeve nga këto fatkeqësi.



















