Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka treguar se lidhur me plagosjen në veri janë arrestuar katër zyrtarë policor dhe janë dërguar në mbajtje 48 orë.
Sveçla ka thënë se kanë filluar hetimet intensive.
Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë tutje se pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit.
“Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka treguar se pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, katër zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga Policia e Kosovës.
“Me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intenzivisht dhe gjithësecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin”, ka shtuar ministri Sveçla.