Sveçla paralajmëron Vuçiqin se do të burgoset nëse hyn pa leje në Kosovë

E publikuar: 30/06/2024 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Xhelal Sveçl Foto: Facebook

Xhelal Sveçl Foto: Facebook

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi në komunat veriore janë vendosur posterë me fotografi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me mbishkrimin “Komandati suprem, po të presim”.

Sveçla përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “nëse Vuçiqi është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”.

“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla.

Posterë me fotografi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me mbishkrimin “Komandati suprem, po të presim”, janë vendosur në disa objekte në katër komunat veriore.

Lidhur me këtë zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, ka thënë se është iniciuar rast “Nxitje e urrejtjes”.

“Në disa lokacione të 4 komunat e Veriut të Vendit janë shpërndarë pamflete me foton e Kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorinë e Shtetit është hap rasti “Nxitje e Urrejtjes”. Nuk kemi të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, tha Elshani.