Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me rastin e 24 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës ka thënë se 12 qershori është dita e fundit e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Ministri Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se 24 vite më parë, Kosova u çlirua nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviqit, ditë në të cilën pikërisht Serbia kapitulloi e bashkë me të dhe objektivi i tyre për spastrim etnik të shqiptarëve.
Sveçla me rastin e kësaj dite ka nderuar dëshmorët të cilët sakrifikuan jetën e tyre për liri.
“Çlirimi i Kosovës i dha fund vuajtjeve të popullit tonë. Kjo ditë na bën të ndalemi e të reflektojmë mbi veprat e dëshmorëve tanë dhe sakrificës së tyre për liri. Të udhëhequr nga ideali i tyre, ne vazhdojmë të punojmë në forcimin e institucioneve tona dhe zhvillimin e Kosovës. Sepse ata janë themeli i shtetit tonë”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla tutje ka thënë se çlirimi i vendit hapi rrugën drejt sovranitetit të Kosovës, “të cilin po e përmbushim dhe me rendin e ligjin që po vendoset në veriun e vendit”.
Ai ka falënderuar vendet anëtare të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e vendit.
“Në këtë ditë falenderojmë çdo vend anëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e vendit, me të cilin veprim ndihmuan aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe demokraci”.