Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka quajtur të pavërteta deklarimet se Kosova ka ngritur gjendje gatishmërie për luftë. Sipas tij, ato janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi-Rusi.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka shkruar se Kosova nuk ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia.
Ai ka thënë se Kosova ka synim paqen e stabilitetin, ndërsa Serbia e ka destabilizimin dhe luftën.
“Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”, ka shkruar ai.
Ministri Sveçla tutje ka shtuar se Kosova nuk është e interesuar për luftë, por angazhohet për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit.
“Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit. Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlenë edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve”.