Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se serbi i arrestuar në veri të vendit të shtunën, nën dyshime për djegie të veturave e sulm ndaj Policisë së Kosovës, ka qenë pjesë aktive e “strukturës kriminale të të ashtuquajturës ‘Mbrojtje Civile’”. Sipas Sveçlës, organet e sigurisë kanë dëshmi se ai ka qenë i përfshirë edhe në sulme ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Policia e Kosovës ka arrestuar të shtunën në veri të Kosovës serbin me inicialet M.B., nën dyshimin për djegie të veturave e sulm ndaj policisë, si vepër të kryer më herët.
“Djegia e veturave të qytetarëve tanë në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë është pa dyshim akt i rëndë kriminal. Siç edhe kemi thënë sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte të tilla. Njëri nga ta sot është arrestuar dhe i cili përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj. Po ashtu organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrastrukturës kritike të republikës”, ka shkruar Sveçla në Facebook pas arrestimit.
Ndaj shtetasit serb janë ngritur kallëzime penale për katër vepra penale.
Sveçla ka thënë në fund se “secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”.