Suspendohet një zyrtar në Komunën e Prishtinës që dyshohet se morri ryshfet

E publikuar: 27/09/2018 17:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se kryetari Shpend Ahmeti ka suspenduar nga puna një punëtor i cili dyshohet se ka marrë ryshfet nga njëra prej kompanive që realizon projekt të Komunës, pasi e njëjta ka njoftuar se nuk i ka marrë me kohë pagesat për punët e kryera.
Me këtë rast, Komuna e Prishtinës rastin e ka paraqitur në Policinë e Kosovës, ndërsa punëtori do të qëndrojë i suspenduar deri sa të dëshmohet e kundërta.

“Komuna e Prishtinës së fundmi është njoftuar nga njëra prej kompanive që realizon projekt të Komunës, se pagesat për punët e kryera i janë vonuar. Që të shpejtohet procedura, kompania thotë sa i ka dhënë ryshfet njërit prej shërbyesve civilë të Komunës së Prishtinës. Si rrjedhojë, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, dhe Kryetari Shpend Ahmeti e ka suspenduar me parandalim punëtorin në të cilin dyshohet, derisa të dëshmohet e kundërta”, thuhet në njoftimin e komunës.

Me urdhër të prokurorit, zyrtari i dyshuar është shoqëruar në polici.