Janë vetëm 700 vota dallim që dy kandidatët nga partitë e ndryshme, i kanë ndërmjet veti, e të cilët synojnë marrjen e Kamenicës. Qëndron Kastrati nga Lëvizja Vetëvendosje që pretendon ta fitojë këtë komunë, në zgjedhjet lokale të së dielës mori 5789 vota, derisa kandidati i LDK-së Shaip Surdulli, grumbulloi gjithsejtë 5003 sosh.
Por Surdulli, ka shumë besim që në balotazhin e 19 nëntorit, do ta marrë fitoren. Ai për Express thotë se është optimist në fitoren e tij, pasi kundërkandidati i tij Kastrati nuk mund ta ketë mbështetjen e qytetarëve.
Thekson se Qëndron Kastrati nga Vetëvendosje për Kamenicën, nuk e njeh këtë komunë.
“Po, jam optimist, jo pse është dallimi i votave jo i madh, por edhe me u pas konë dallimi më i madh i votave është një kandidat që nuk e besoj që e voton shumica qytetare përfundimisht.
Qëndroni është i lindur e i rritur në Prishtinë dhe nuk besoj që qytetarët lejojnë që me ardh dikush që nuk e njeh as njerëzit e as vendin e as terrenin dhe mu bo kryetar i Kamenicës e knej me jetu ne Prishtinë”, ka shtuar ai.
Që pas përfundimit të zgjedhjeve komunale që u mbajtën këtë të diele, një ditë pas, partitë tashmë kanë filluar t’i bëjnë matematikat e tyre se kush më kënd mund të bëjë koalicione në nivel komune.
E në lidhje me këtë mundësi, Surdulli bën të ditur për Express se aktualisht janë në bisedime me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, derisa sqaron se zyrtarizmi i këtyre koalicioneve nuk duhet të shkojë përtej kësaj jave.
“Jemi tu bisedu dhe asnjë koalicion nuk është i përjashtueshëm nga ne. Kemi filluar do biseda me i zhvillu me AAK-në kryesisht.
Ne i kemi ftuar për bashkëpunim, ata ndoshta janë duke i marr instruksionet edhe nga niveli qendror. Besoj që nuk duhet më shku përtej kësaj jave që të bëhen zyrtare këto koalicione”, është shprehur kandidati i LDK-së për Kamenicën.
Ai thotë se kanë besim te qytetarët, pasi thekson se është punuar për atë vend dhe qytetarët e njohin punën e tyre.
“Kemi punuar, na njohin, i njohim më shumë, e dimë qysh udhëhiqet komuna, qysh punohet me njerëzit me qytetarët”, ka përfunduar ai.
Ndryshe LDK sipas të gjitha rezultateve del të ketë rritje, përderisa i njëjti subjekt politik shkon në balotazh në 10 komuna./GazetaExpress/

















