SuperShqipëria, leksion futbolli Francës!

E publikuar: 13/06/2015 20:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqipëria ka bërë mbase paraqitjen më të mirë në vitet e fundit, duke nxjerrë një fitore historike në miqësoren ndaj Francës.

Kuqezinjtë e filluan me intensitet lojën duke avancuar në gjysmë-pjesën e Francës në fushë dhe duke provuar të krijojnë raste.

Pas disa rasteve të lëshuara nga Sokol Cikalleshi dhe Odise Roshi, Ermir Lenjani pati rastin më të mirë në pjesën e parë. Pas një asistimi të shkëlqyeshëm nga Roshi, mesfushori tjetër i kombëtares shqiptare u gjend i vetëm përballë me Hugo Lloris, por portieri i Tottenhamit reagoi për ta ndaluar topin.

Kombëtarja u tregua e qëndrueshme edhe në aspektin defansiv që nga fillimi, duke penguar depërtimin e Gjelave që në mes të fushë. Në rastet kur topi arrinte deri para golit, njëshi i kombëtares, Etrit Berisha gjithmonë ishte në vendin e duhur.

Pak minuta para fundit të pjesës së parë, Ergys Kaçe shënoi një supergol nga goditja e lirë, duke lënë të pafuqishëm portierin kundërshtar.

Të zgjedhurit e trajnerit De Biasi filluan rrufeshëm edhe pjesën e dytë, duke krijuar një varg rastesh, por që nuk u shfrytëzuan nga sulmuesit tanë.

Rastin më të mirë e pati Valdet Rama, i cili u gjend ballë për ballë me portierin francez, por që dërgoi goditjet ulët dhe jashtë porte.

/gb/