Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj L.M., për shkak të veprave penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri L.M. akuzohet se më 29 maj 2023, në Zveçan, në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës kanë sulmuar dhe seriozisht kanosur pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Dhuna e ushtruar solli dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës. Prokuroria Speciale vazhdon procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për incidentin.

















