Alex Shpendi, babai i dyshes së futbollistëve shqiptar, Stiven dhe Cristian Shpendi ishte protagonist negativ në një takim të Serie C në Itali. Sulmi fizik ndaj portierit kundërshtar në fundin e përballjes mes Cezenës dhe Olbia mund t’i kushtojë gjatë jo vetëm atij, por edhe klubit italian. Për mediat italiane, ai ka shpjeguar arsyet e këtij reagimi, duke e përkufizuar si çmenduri.
“I kërkoj falje të gjithëve, gjithë Italisë dhe Cezenës. Gjest shumë i keq për mua. E di që kam zhgënjyer shumë njerëz dhe për këtë arsye kërkoj falje njëqind mijë herë. E pashë djalin tim në tokë të gjakosur. Për këtë arsyeje si baba u çmenda, por absolutisht nuk godita askënd. Jam i mërzitur nga shembulli i keq që dhashë me gjestin që bëra. Si një familjar gjithmonë jam përpjektur t’i edukoj fëmijët e tij mbi vlerat e respektit për të tjerët. Ky gjest nuk mund të justifikohet. E di që me veprimin tim kam thyer ato vlera në të cilat besoj dhe që jam përpjekur gjithmonë t’ia përcjell familjes time”.
Alex Shpendi hyri në fushë pasi portieri i Olbias i shkaktoj një dëmtim të rëndë në vetull lojtarit të kombëtares shqiptare të U-21, duke e larguar nga fusha. Mbi Shpendin rëndon akuza e sulmit fizik ndaj personit, me policinë që ka nisur hetimet. Ndërkaq klubi i Cezenës ka dënuar këtë veprim, duke u distancuar nga aktet e dhunës.
Gjithsesi, bardhezinjtë dështuan në parandalimin e kësaj ngjarje. Klubi do të vazhdojë të promovojë me bindje vlerat pozitive të futbollit dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për të garantuar sigurinë e të gjithë tifozëve dhe profesionistëve të tij, në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në mënyrë paqësore ngjarjet sportive ku Cezena është protagoniste.
/Klan News