Sulmohen një infermiere dhe dy punonjës të sigurimit, çfarë ndodhi sot në Spitalin e Mitrovicës?

E publikuar: 15/01/2026 23:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një incident i rëndë është regjistruar sot rreth orës 11:00 në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”, në Mitrovicë, ku një infermiere dhe dy punonjës të sigurimit janë sulmuar fizikisht gjatë ushtrimit të detyrës.

Burime brenda spitalit kanë bërë të ditur për KosovaPress, se rasti ka ndodhur pasi disa persona nuk janë lejuar të hyjnë në dhomën ku një pacient kishte përfunduar operacionin, në repartin e Ortopedisë.

Pas kësaj, të njëjtit kanë reaguar dhunshëm, duke sulmuar stafin mjekësor dhe sigurimin me karrika, me ç’rast janë shkaktuar lëndime trupore, transmeton KosovaPress.

Mësohet se me rastin është njoftuar edhe policia, ku viktimat kanë dhënë deklaratat e tyre.

Spitali dënon çdo formë të dhunës ndaj stafit shëndetësor dhe punëtorëve të sigurimit fizik, si dhe kërkon nga organet kompetente që rasti të trajtohet shpejt, në përputhje me ligjin.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), e cila e ka dënuar fuqishëm incidentin, duke e cilësuar si pasojë të drejtpërdrejtë të mungesës së sigurisë institucionale në objektet shëndetësore.

“Ky nuk është një rast i izoluar, por pasojë direkte e dështimit institucional për të garantuar siguri minimale për punëtorët shëndetësorë. Dhuna ndaj stafit shëndetësor është bërë dukuri shqetësuese dhe tolerimi i saj është i papranueshëm”, thuhet në reagimin e FSSHK-së.

Federata ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit që rasti të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësit të ndëshkohen pa vonesa. Po ashtu, është kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) që të marrin përgjegjësi institucionale dhe të ndërmarrin masa urgjente për rritjen e sigurisë në institucionet publike shëndetësore.