Parlamenti Evropian (EP) pritet ta miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, më vonë, këtë muaj.
Kjo pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator,
Kështu ka bërë të ditur deputeti kroat në EP, Tonino Picula.
Picula tha se e mori shumicën e nevojshme për propozimin e tij dhe se për këtë rezolutë do të diskutohet në seancën e dytë plenare gjatë këtij muaji.
“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.“ – tha Picula.
Theksojmë se Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
Po ashtu Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare, raporton REL.
Për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ecurinë e dialogut dhe tensioneve në veri, do të diskutohet sot në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Pesë ditë pas sulmit, Millan Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.